Kam një problem Zoti Avokat, a ka ndonjë ligj që të mbron nga disa persona që më kërcënojnë. Dikush më ka bërë një video intime, pa dijeninë time, dhe tani pas një viti më thotë më jep 1 milionë lekë ose unë do ta nxjerr videon tënde në youtube. Si të veproj, unë nuk kam ku ti marr lekët, jam vetëm 17 vjeçe, dhe këto kërcënime po më luajnë mendsh. Ju lutem më thoni ku të ankohem dhe si të veproj, a duhet të mbledh prova. Nëse nxjerr emrat e personave a mund të më marri në mbrojtje policia, por do doja që dhe familja të mos e marrë vesh. Dua një këshillë, një rrugë ligjore që duhet të ndjek?

Përshëndetje e nderuar Zonjushë!
Fillimisht duhet të qetësoheni, mos të frikësoheni nga presioni që po ju bëhet. Ju këshilloj që mos të bëni asnjë pagesë këtyre personave, për mos të publikuar këtë video. Duhet që të diskutoni me personat të cilët të shtrëngojnë, t’i kërkoni pagesën që i keni dhënë më përpara duke i thënë dhe bërë të qartë se: “nëse me bëni sërish presion, nëse nuk e fshini videon, do të bëj kallëzim në polici lidhur me shantazhin dhe presionin që po më ushtroni ndaj meje”.
Ju duhet të rini e qetë pasi ju jeni e mbrojtur nga legjislacioni dhe nga institucionet e Republikës së Shqipërisë si: policia, prokuroria dhe gjykata. Kodi Penal në Nenin 109/b përcakton se: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë”.
Pasi të keni komunikuar për herën të fundit me këta persona dhe ata nuk tërhiqen nga shantazhet, vazhdojnë t’ju bëjnë kërcënime, atëherë do t’i drejtoheni Komisariatit të Policisë ku ju keni vendbanimin për të bërë kallëzimin ku t’i tregoni të gjithë historinë tuaj. Nuk është e nevojshme për të mbledhur prova për kërcënimet që ju bëhen, nga momenti që ju jepni kallëzim policia në bashkëpunim me prokurorinë kryen të gjitha veprimet hetimore procedurale dhe mbledh prova për t’i vënë këta shtetas përpara drejtësisë. Para se të bëni kallëzimin dhe pas kallëzimit ju nuk duhet t’i tregoni asnjë njeriu sepse ndodhë që shtetasit që të shtrëngojnë për të marrë para të informohen për kallëzimin tuaj dhe t’i ndërpresin presionet.
Në këto raste policia pasi bën veprimet hetimore, kryesisht kryen përgjime dhe mbledh prova të plota të cilat implikojnë këta persona se kanë kryer veprën penale të përcaktuar në Nenin 109/b “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Nëse janë mbledhur prova nëpërmjet veprimeve të mësipërme hetimore atëherë Prokuroria i drejtohet Gjykatës me kërkesë ku i shpjegon të gjitha rrethanat e faktit, provat që i bashkëlidh fashikullit hetimor dhe bazën ligjore për t’i dënuar këta shtetas të cilët ju kanë shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë.
Shpresoj të jeni qartësuar pas kësaj analize juridike!

Leave a reply