Përshëndetje zoti Avokat, unë qe po ju shkruaj jam Ramadani nga Gjakova. Unë jam i fejuar me një gocë nga Tirana. Së bashku kemi vendosur për ta ndërtuar jetën në Tiranë, çfarë dokumentacioni duhet të plotësoj për të marrë lejen e qëndrimit në Shqipëri.

I nderuar Ramadan, për dokumentet e nevojshme për të marrë lejen e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë janë:
Kërkesa për lejeqëndrimi ose për ripërtëritjen e saj depozitohet në sektorët ose zyrat e migracionit, pranë drejtorive rajonale për kufirin dhe migracionin, në territorin ku i huaji ka vendbanimin në çastin e aplikimit. I huaji me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri paraqitet personalisht për aplikimin për lejeqëndrimi. Procedurat e pranimit, të miratimit apo refuzimit, si dhe të shpërndarjes së lejeve të qëndrimit përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm.

1. Për marrjen e lejeqëndrimit, në kuadër të veprimtarive ekonomike, profesionale, tregtare dhe të punësimit, i huaji duhet të depozitojë këto dokumente bazë:
a) Formularin tip nr. 8, të plotësuar.
b) Pasaportën, e cila i ka mundësuar hyrjen e ligjshme në Republikën e Shqipërisë, si dhe një fotokopje të faqeve të pasaportës, që kanë shënime zyrtare me interes.
Pasaporta duhet të skadojë të paktën 3 muaj pas mbarimit të afatit të lejes së qëndrimit të kërkuar. Pasaporta i kthehet të interesuarit në çastin e aplikimit, ndërsa fotokopja mbahet në fashikull.
c) Dëshminë e penalitetit, të marrë në vendin e origjinës dhe/ose në vendin ku i interesuari ka pasur qëndrim të ligjshëm, të përkthyer në gjuhën shqipe, lëshuar në 6-mujorin e fundit, të vërtetuar dhe të legalizuar pranë përfaqësive diplomatike apo konsullore të Republikës së Shqipërisë.
Legalizimi ose jo i këtij dokumenti bazohet në detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe.
ç) Kontratën e shitblerjes ose të marrjes me qira të banesës.
d) Certifikatat personale dhe/ose familjare, të përkthyera në gjuhën shqipe, lëshuar në 6-mujorin e fundit, të vërtetuara dhe të legalizuara pranë përfaqësive diplomatike apo konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit. Legalizimi ose jo i këtyre dokumenteve bazohet në detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe.
dh) Dy fotografi, sipas formatit të pasaportës shqiptare.
e) Deklaratën nga pritësi ose punëdhënësi për motivin e qëndrimit.
ë) Fotokopjen e lejes së punës ose fotokopjen e licencës së ushtrimit të veprimtarisë përkatëse.
f) Certifikatën shëndetësore (për shtetas, që vijnë nga vende të prekura nga epidemi), sipas përcaktimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
g) Mandatin e pagesës për lejeqëndrimin.

2. Për marrjen e lejeqëndrimit për bashkim familjar të një të huaji me një të huaj tjetër me qëndrim të rregullt në Shqipëri, i pari duhet të depozitojë këto dokumente:
a) Formularin tip nr. 8, të plotësuar.
b) Pasaportën, e cila i ka mundësuar hyrjen e ligjshme në Republikën e Shqipërisë, si dhe një fotokopje të faqeve të pasaportës, që kanë shënime zyrtare me interes.
Pasaporta duhet të skadojë të paktën 3 muaj pas mbarimit të afatit të lejes së qëndrimit të kërkuar. Pasaporta i kthehet të interesuarit në çastin e aplikimit, ndërsa fotokopja mbahet në fashikull.
c) Dëshminë e penalitetit, të marrë në vendin e origjinës dhe/ose në vendin, ku i interesuari ka pasur qëndrim të ligjshëm, të përkthyer në gjuhën shqipe, të vërtetuar dhe të legalizuar pranë përfaqësive diplomatike apo konsullore të Republikës së Shqipërisë. Legalizimi ose jo i këtij dokumenti bazohet në detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe.
ç) Fotokopjen e lejes së qëndrimit të bashkëshortit/es, ose partnerit/es civile.
d) Certifikatat personale dhe familjare, të përkthyera në gjuhën shqipe, lëshuar në 6-mujorin e fundit, të vërtetuara dhe të legalizuara pranë përfaqësive diplomatike apo konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit. Legalizimi ose jo i këtyre dokumenteve bazohet në detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe.
dh) Dy fotografi sipas formatit të pasaportës shqiptare.
e) Kontratën e shitblerjes ose të marrjes me qira të banesës. Banesa duhet të jetë në sipërfaqe të mjaftueshme, për të siguruar një jetesë normale për numrin e personave pas bashkimit.
ë) Fotokopjen e dokumentit të kontributeve të sigurimeve shëndetësore (për shtetasin e huaj me qëndrim në Shqipëri).
f) Kërkesën e bashkëshortit/es ose partnerit/es civil pritës.
g) Deklaratën noteriale të partnerëve civilë.

Studio Ligjore “Duraj” është e specilizuar në këtë fushë, nëse keni dëshirë mund të kontatkoni me ne!

Av. Drn. Alban Duraj

Leave a reply