Përshëndetje Avokatit. Jam një lexuese e rregullt dhe kam një hall. Motra ime është e divorcuar prej më se një viti dhe ish burri nuk ka kontribuar aspak për fëmijën. Çfarë rruge duhet të ndjek motra ime që të marri atë çfarë i takon për fëmijët, se nuk më duket e drejtë që ai të mos financojë fare për fëmijët. Si veprohet në kësi rastesh? Rruga ligjore që duhet të ndiqet? Me respekt Nexhi.

 

Përshëndetje Zonja Nexhi!

Ne vendimin e zgjidhjes se martesës së dy bashkëshortëve, mendoj që është përcaktuar se me kë prind do të jetoj fëmija, vlera e detyrimit ushqimor të cilin gjykata ka vendor bazuar në të ardhurat që ka bashkëshorti i cili nuk jeton me fëmijën në rastin konkret ish-bashkëshorti i motrës suaj.

Legjislatori e ka mbrojtur shumë mirë bashkëshortin që do të mbaj fëmijën duke sanksionuar në favor të tij:
Në nenin 158 të Kodit të Familjes së Republikës së Shqipërisë percaktohet se: “Prindi, që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër. E drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, nuk mund t’i refuzohen, veçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës”.

Në nenin 161 të Kodit të Familjes percaktohet se: “Në vendimin e zgjidhjes së martesës caktohet dhe kontributi për detyrimin ushqimor për fëmijën dhe për ish-bashkëshortin, nëse është rasti, sipas parashikimeve të kreut “Detyrimi për ushqim” të këtij Kodi”.

Në nenin 162 të Kodit të Familjes percaktohet se: “Çdonjëri prej ish-bashkëshortëve është i detyruar t’i japë tjetrit të dhëna të sakta për pasurinë dhe të ardhurat e tij, kur ato janë të nevojshme për të caktuar detyrimin për ushqim. Me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, punëdhënësi, organet financiare përkatëse, zyrat e tatimeve dhe çdo organ tjetër ku mund të merren prova, janë të detyruar të japin gjithë informacionin e nevojshëm për gjendjen pasurore të ish-bashkëshortit tjetër dhe për të gjitha të ardhurat e tjera të tij”.

Për rastin konkret kur ish-bashkëshorti nuk e paguan detyrimin ushqimor që ka vendosur gjykatë, motra Juaj duhet t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Pasi të nxirrni këtë urdhër ekzekutimi nga gjykata, atëherë së bashku me vendimin e gjykatës për zgjidhjen e martesës do t’i drejtoheni një zyre përmbarimi shtetërore ose private. Procedurat e mëpasshme i kryen zyra e përmbarimit për t’i marrë ish-bashkëshortit të motrës vlerën që ka vendosur gjykata nga koha që atij i ka lindur ky detyrim.
Shpresoj që të jeni qartësuar pas analizës juridike që Ju parashtruam mësipër. Studio Ligjore “Duraj” ju vjen në ndihmë për të kryer të gjitha procedurat e mësipërme në mënyrë që motra Juaj të marri nga ish-bashkëshorti detyrimin ushqimor që i takon fëmijës.

 

Leave a reply