Përshëndetje z. Avokat, unë qe po ju shkruaj jam një zonjë 33 vjeçe e martuar me dy fëmijë që jetoj ne qytetin e Durrësit. Punoj mësuese ne një gjimnaz të qytetit Durrësit. Jam martuar para 10 vjetëve me bashkëshortin tim me shkuesi. Nga kjo martesë kam lindur Rein 9 vjeç dhe Klarën 7 vjeç. Në vitin e parë të martesës kemi pasur kontradikta dhe mosmarrëveshje te vazhdueshme të cilat më vonë janë bërë më të shpeshta dhe të ashpra, ku ne disa raste bashkëshorti më ushtron ndaj meje dhunë verbale dhe fizike. Sikur mos të mjaftonin këto, në dy vitet e fundit, bashkëshorti luan lojëra fati dhe të gjitha parat që merrte nga rroga i lë me bixhoz. Detyrimet që ka për familjen Gjatë këtyre kohëve unë jam munduar për hir të fëmijëve të mbaj këtë lidhje gjallë por durimi ka marrë fund. Nuk mund të jetoj me një bashkëshort i cili nuk kujdeset për familjen e tij, i cili bën jetë jo familjare dhe sillet si adoleshent. Unë e kam të pamundur për të përballuar të gjitha shpenzimet familjare e vetme. Bashkëshorti ka filluar që të shes edhe orenditë e shtëpisë pasi është futur ne borxh. Para një jave shiti edhe makinën e tij. Ju lutem me jepni këshillë juridike si mund të veproj për të bërë zgjidhjen e martesës dhe të jetoj vetëm me fëmijët.

E nderuar zonjë!
Fillimisht Ju këshilloj që të gjeni rrugën e mirëkuptimit dhe mos të shkoni në gjykatë për të bërë zgjidhjen e martesës pasi kjo është rruga më e shkurtër që Ju mund të ndiqni por jo e duhura! Duhet të ri-shikoni edhe njëherë vendimin qe keni marrë për zgjidhjen e martesës dhe të merrni iniciativën për të diskutuar me bashkëshortin tuaj duke e bindur atë me argumente të hollësishme që ky nuk është një veprim i drejtë që ai po bënë. Prindërit duhet të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës dhe për hir të tij duhet të bëni edhe kompromis.
Dispozitat e Kodit të Familjes parashikohet se:
 Martesa, si një bashkëjetesë ligjore mbështetet ne barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, ne ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza e unitetit ne familje. Me martesë burri dhe gruaja përfitojnë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat detyrime. Nga martesa lind detyrimi reciprok për besnikëri, për ndihmë morale dhe materiale, për bashkëpunim në interes të familjes dhe të bashkëjetesës.
 Secili nga bashkëshortët mund të kryejë vetë, pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, veprimet juridike që kanë të bëjnë me mbajtjen e familjes ose me edukimin e fëmijëve. Për detyrimet e marra përsipër nga njëri bashkëshort, detyrohet solidarisht edhe bashkëshorti tjetër. Përgjegjësia solidare nuk ka vend për shpenzimet haptazi të tepërta, duke pasur parasysh mënyrën e jetesës në familje, dobishmërinë e veprimit të kryer, si dhe mirëbesimin ose keqbesimin e personave të tretë kontraktues.
 Me martesë burri dhe gruaja përfitojnë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat detyrime. Nga martesa lind detyrimi reciprok për besnikëri, për ndihmë morale dhe materiale, për bashkëpunim në interes të familjes dhe të bashkëjetesës.
Cilat janë rastet e zgjidhjes së martesës?
Kodi i Familjes përcakton rastet e zgjidhjes së martesës me:
1. Pëlqimi reciprok i bashkëshortëve.
a) Kur bashkëshortët bien dakord për zgjidhjen e martesës, i paraqesin gjykatës për miratim, së bashku me kërkesën, edhe një projektmarrëveshje që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.
Kërkesa mund të paraqitet nga bashkëshortët ose nga përfaqësuesit e tyre respektivë.
b) Gjykata shqyrton kërkesën, dëgjon fillimisht veçmas secilin nga bashkëshortët, më pas bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre dhe në fund thërret përfaqësuesit e bashkëshortëve, në qoftë se ata kanë të tillë.
c) Gjykata vendos zgjidhjen e martesës në rast se krijon bindjen se vullneti i secilës palë është real dhe secili prej tyre ka dhënë lirisht pëlqimin e tij për zgjidhjen e martesës. Në të njëjtin vendim, gjykata miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.
Marrëveshja përmban lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar, nëse është rasti dhe nëse është e mundur edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore.
d) Në rast se gjykata konstaton se marrëveshja nuk siguron në mënyrë të mjaftueshme interesat e fëmijëve ose të njërit prej bashkëshortëve, pezullon gjykimin për 3 muaj dhe u kërkon bashkëshortëve të bëjnë rregullimet e duhura në marrëveshje.
Në qoftë se edhe pas afatit të parashikuar në paragrafin e parë nuk janë bërë rregullimet e duhura, gjykata refuzon miratimin dhe rrëzon kërkesën për zgjidhjen e martesës me pëlqim reciprok të bashkëshortëve.
2. Zgjidhja e martesës me kërkesën e njërit bashkëshort.
a) Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët.
b) Gjykata vendos për fajësinë, në zgjidhjen e martesës, vetëm kur kjo kërkohet prej njërit ose të dy bashkëshortëve.
c) Për të kërkuar zgjidhjen e martesës Ju duhet të paraqisni në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës Kërkesë Padi me objekt zgjidhje martese. Pas disa ditësh caktohet orari dhe gjyqtari që do ta gjykoj çështjen. Në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët. Gjyqtari mund t’i dëgjojë ata veçmas secilin dhe më pas bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre. Kur arrihet pajtimi, mbahet procesverbal dhe gjykimi pushohet për këtë shkak.
Çfarë ndodhë kur nuk paraqitet një nga palët ne gjykim?
Në rast se në seancën e pajtimit nuk paraqitet paditësi, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit të çështjes. Kur nuk paraqitet i padituri, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari shtyn seancën e pajtimit, duke i përsëritur njoftimin të paditurit. Nëse edhe në këtë seancë i padituri nuk paraqitet pa ndonjë shkak të arsyeshëm, gjyqtari, pasi dëgjon paditësin dhe krijon bindje se pajtimi i bashkëshortëve nuk mund të arrihet, cakton seancën gjyqësore, duke urdhëruar thirrjen e provave të nevojshme.
Çfarë mund të kërkohet tjetër dhe masa që merr gjykata?
Në kërkesë padinë për zgjidhjen e martesës mund të kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër për të përballuar shpenzimet për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara në këtë Kod, si dhe likuidimin e regjimit pasuror martesor përkatës. Gjykata veçon likuidimin e regjimit pasuror martesor në rast se vështirësohet shqyrtimi i çështjes. Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të mitur, për detyrimin për ushqim të bashkëshortit, kur shihet e arsyeshme, për sigurimin e banimit, si dhe administrimin dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës, nëse është rasti. Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet ose të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta.
Cilat janë pasojat e zgjidhjes së martesës?
Pasojat për ish-bashkëshortët:
1. Në rast se ish-bashkëshortët që kanë zgjidhur martesën dëshirojnë ta rilidhin atë, duhet të zbatojnë të gjitha procedurat e nevojshme për lidhjen e një martese të re.
2. Përdorimi i mbiemrit
Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës. Gjykata, me kërkesën e bashkëshortit dhe kur është në interes të tij ose të fëmijëve, mund të lejojë që ai të mbajë mbiemrin që ka marrë me lidhjen e martesës.
Gjykata mund të detyrojë njërin nga ish-bashkëshortët të derdhë për llogari të tjetrit një kontribut të destinuar për të kompensuar sa të jetë e mundur pabarazinë që mund të shkaktojë në jetën e tjetrit ndarja e pasurisë në zgjidhjen e martesës, përveç detyrimit për ushqim. Gjykata përcakton nëse kontributi mund të jepet i menjëhershëm ose periodik dhe mënyrën e pagimit të tij.
Në përcaktimin e nevojave dhe të burimeve, gjykata merr në konsideratë:
a) moshën dhe gjendjen shëndetësore të ish-bashkëshortëve;
b) kohën e shpenzuar dhe atë që i duhet të shpenzojnë për edukimin
e fëmijëve;
c) kualifikimin e tyre profesional;
ç) predispozitën e tyre për punë të reja;
d) të drejtat që ata gëzojnë dhe ato që parashikohen për të ardhmen;
dh) pasurinë e tyre, si kapital ose si e ardhur, pas likuidimit të regjimit pasuror martesor për llogari të tjetrit një kontribut të destinuar për të kompensuar sa të jetë e mundur pabarazinë që mund të shkaktojë në jetën e tjetrit ndarja e pasurisë në zgjidhjen e martesës, përveç detyrimit për ushqim. Gjykata përcakton nëse kontributi mund të jepet i menjëhershëm ose periodik dhe mënyrën e pagimit të tij.
E nderuar zonje, Ju këshilloj edhe njëherë që ta mendoi edhe njëherë mundësin për pajtim dhe mos ta zgjidhni martesën. Nëse vendosni që të ndiqni rrugën gjyqësorë atëherë Ju lutem mund te kontaktoni me Duraj Law Firm! Ju faleminderoj shumë që kontaktuat!

Me respekt, Av. Drn. Alban Duraj.

 

Leave a reply